// Gjetjet kyç të Raportit 2016 për Shqipërinë

KOMISIONI EVROPIAN

MEMORANDUM

 

Bruksel, 9 nëntor 2016

Kriteri politik

Duke kapërcyer polarizimin e mëparshëm, Kuvendi i Shqipërisë miratoi me unanimitet ndryshimet kushtetuese për fillimin e një reforme të thellë dhe tërësore të sistemit të drejtësisë dhe përjashtimin e shkelësve penalë nga postet publike. Duke pasur parasysh zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme që do të mbahen në vitin 2017, Shqipëria pritet të miratojë në kohën e duhur ndryshimet e Kodit Zgjedhor dhe reformat që lidhen me të. Ato duhet të trajtojnë veçanërisht mungesën e paanësisë dhe profesionalizmit të administratës zgjedhore. Miratimi i ligjit për ngritjen e këshillit kombëtar për shoqërinë civile siguroi kornizën për konsultime më të strukturuara me organizatat e shoqërisë civile.

Shqipëria është e përgatitur në mënyrë të moderuar lidhur me reformën e administratës së saj publike. Zbatimi i procedurave më transparente të rekrutimit të nëpunësve civilë, si dhe zbatimi i strategjive të reformës së administratës publike dhe reformës së menaxhimit të financave publike ka vazhduar. Progresi i mëtejshëm është kyç për konsolidimin e arritjeve drejt një administrate publike më efikase, më të depolitizuar dhe më profesionale.

Sistemi gjyqësor i Shqipërisë ka njëfarë niveli përgatitje. Janë miratuar ndryshimet kushtetuese lidhur me organizimin dhe funksionimin e sistemit të drejtësisë. Kjo shtron udhën për një reformë drejtësie tërësore dhe të plotë. Puna për zbatimin e legjislacionit përkatës gjithashtu ka ecur përpara: është miratuar një ligj mbi rivlerësimin (vetingu) e gjyqtarëve, prokurorëve dhe këshilltarëve ligjorë, si dhe një grup ligjesh kyç që merren me riorganizimin institucional të strukturave gjyqësore. Veç kësaj, rreth 40 tekste të tjera legjislative janë në faza të ndryshme përgatitjeje. Nevojitet progres i mëtejshëm për ta miratuar dhe zbatuar këtë legjislacion. Administrimi i drejtësisë ka vazhduar të jetë i ngadaltë dhe i paefektshëm; korrupsioni ka vazhduar të mbizotërojë në gjithë sektorin.

Shqipëria ka njëfarë niveli përgatitjeje në luftën kundër korrupsionit. Është miratuar një ligj mbi mbrojtjen e sinjalizuesve. Prokurorët dhe policia kanë fituar qasje më të madhe në regjistrat kombëtarë elektronikë publike, me synimin për të shkëmbyer informacionin sensitiv dhe rritjen e efikasitetit të hetimeve. Nevojitet progres i mëtejshëm për të krijuar një precedent të qëndrueshëm hetimesh, ndjekjesh penale dhe dënimesh. Më shumë përpjekje nevojiten për të luftuar korrupsionin në nivelin e lartë. Hetimet proaktive, vlerësimet e rregullta të riskut dhe bashkëpunimi ndërinstitucional duhen përmirësuar. Korrupsioni mbetet mbizotërues në shumë fusha dhe vazhdon të jetë një problem serioz.

Vendi ka arritur njëfarë niveli përgatitje në luftën kundër krimit të organizuar. Është bërë njëfarë progresi, veçanërisht në identifikimin dhe shkatërrimin e plantacioneve me kanabis. Policia është modernizuar dhe bashkëpunimi policor ndërkombëtar është intensifikuar, veçanërisht me Europol-in. Megjithatë, bashkëpunimi mes policisë dhe prokurorisë duhet forcuar më tej për të shkatërruar në mënyrë më efektive rrjetet kriminale. Numri i dënimeve të formës së prerë në çështjet e krimeve të organizuara është ende i ulët, duke shënuar vetëm një rritje të vogël vitet e fundit. Hetimet financiare lidhur me grupet e organizuara kriminale nuk përdoren sistematikisht dhe në mënyrë efektive. Numri i ngrirjes dhe konfiskimit të pasurive të fituara në mënyrë të paligjshme mbetet shumë i ulët.

Kuadri ligjor për mbrojtjen e të drejtave të njeriut përputhet gjerësisht me standardet evropiane. Shqipëria ka ratifikuar shumicën e konventave ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Megjithatë, vënia në zbatim e mekanizmave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut mbetet për t’u forcuar. Lidhur me lirinë e shprehjes, Shqipëria ka njëfarë niveli përgatitje / është e përgatitur në mënyrë të moderuar. Mjedisi i përgjithshëm është i favorshëm për lirinë e shprehjes, por nevojitet një zbatim më i mirë i legjislacionit. Pavarësia e autoritetit rregullator dhe transmetuesit publik duhet forcuar më tej dhe transparenca e reklamave shtetërore në media mbetet për t’u forcuar. Shqipëria ka marrë masa për të trajtuar çështjen e kthimit apo kompensimit të pronave të konfiskuara gjatë periudhës komuniste. Është vendosur një ligj i ri që siguron krijimin e një mekanizmi kombëtar për kompensimin. Procesi i regjistrimit të pronave gjithashtu duhet të përparojë. Kushtet e jetesës për romët dhe egjiptianët  duhen përmirësuar. Nevojiten përpjekje të mëtejshme për të hartuar një precedent të rasteve të antidiskriminimit. Mekanizmat institucionalë për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe luftën kundër dhunës me bazë gjinore mbeten të dobët. Legjislacioni mbi drejtësinë për të miturit duhet sjellë në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Shqipëria ka vazhduar të ketë një rol konstruktiv dhe proaktiv në bashkëpunimin rajonal dhe ruan marrëdhënie të mira fqinjësie, në përputhje me angazhimet e saj në kuadrin e Marrëveshjes së Stabilizimit dhe Asociimit.

Kriteri ekonomik 

Shqipëria është e përgatitur në mënyrë të moderuar për zhvillimin e një ekonomie tregu funksionuese. Është bërë njëfarë progresi për përmirësimin e bilancit të buxhetit, luftës kundër informalitetit dhe reformimit të sektorit të energjisë elektrike. Zhvillimi ekonomik është përshpjetuar dhe situata e tregut të punës është përmirësuar, por papunësia mbetet ende e lartë. Borxhi publik është i lartë dhe ende nuk ka nisur të ulet, ndërsa realizimi i ulët dhe i përsëritur i shpenzimeve qeveritare për investimet vazhdon. Sektori financiar është i qëndrueshëm. Megjithatë, sektori bankar është ende i ngarkuar me kredi me probleme dhe kreditimi po rritet me ngadalësi. Rregulloret që lidhen me biznesin janë të ngatërruara dhe mangësitë e shtetit ligjor vazhdojnë të pengojnë investimet. Reforma e drejtësisë në vazhdim pritet të ketë një ndikim material mbi mjedisin e biznesit.

Shqipëria ka njëfarë niveli përgatitje lidhur me kapacitetin e saj për të përballuar trysninë konkurruese dhe forcat e tregut brenda Bashkimit Evropian. Është bërë njëfarë progresi, veçanërisht lidhur me përmirësimin e arsimit të lartë dhe atij profesional. Megjithatë, cilësia e arsimit duhet rritur në të gjitha nivelet për t’i pajisur më mirë njerëzit me aftësi dhe njohuri në përputhje me nevojat e tregut të punës. Kanë nisur përpjekjet për t’u dhënë përparësi investimeve të infrastrukturës, por hendeqet në transport, energji dhe në infrastrukturën digjitale ende e pengojnë konkurrencën dhe kufizojnë tregtinë. Tregtia ndërkombëtare është nën potencial dhe është e përqëndruar në mënyrë sektoriale, duke e bërë ekonominë më vulnerabël. Kapaciteti për kërkime, zhvillim dhe inovacion mbetet i ulët. 

Legjislacioni i BE-së

Shqipëria ka vazhduar ta përafrojë legjislacionin e saj me kërkesat e BE-së në një numër fushash, duke rritur aftësinë e saj për të marrë përsipër detyrimet e anëtarësisë. Në shumë fusha vendi është i përgatitur në mënyrë të moderuar, si në kontrollin financiar, ose ka njëfarë niveli përgatitje, përfshirë në fushat e prokurimit publik dhe statistikave. Shqipëria duhet të vazhdojë përpjekjet e saj lidhur me përgatitjet e përgjithshme për miratimin dhe zbatimin e acquis të BE-së. Ajo duhet të vazhdojë punën për zhvillimin e rrjeteve të transportit dhe energjisë, gjithashtu me synimin për të përmirësuar ndërlidhjen në rajon. Kapaciteti administrativ dhe standardet profesionale të organeve të ngarkuara me zbatimin e acquis duhet forcuar dhe pavarësia e organeve rregullatore duhet mbrojtur. Rritja e transparencës dhe llogaridhënies, veçanërisht sigurimi i funksionimit efektiv, efikas dhe transparent të si sistemit të prokurimit publik dhe menaxhimi i financave publike mbetet thelbësor. Shqipëria ka vazhduar të përafrohet plotësisht me gjithë pozicionet dhe deklaratat e përbashkëta të BE-së për politikën e jashtme dhe atë të sigurisë.

Numri i aplikimeve të pabazuara për azil të paraqitura nga shqiptarët në Shtetet Anëtare të BE-së dhe në vendet Schengen ka mbetur i lartë. Shqipëria duhet të ndërmarrë veprime të menjëhershme dhe të vendosura, përfshirë në kuadrin e mekanizmit të monitorimit pas liberalizimit të vizave, për ta trajtuar në mënyrë efektive këtë fenomen.

 

Data kyçe 

1999: BE-ja propozon Procesin e ri të Stabilizimit dhe Asociimit për vendet e Evropës Juglindore

Qershor 2000: Këshilli Evropian deklaron se gjithë vendet e Stabilizimit dhe Asociimit janë kandidatë potencialë për anëtarësi në BE

Qershor 2003: Samiti i Selanikut; perspektiva e BE-së për Ballkanin Perëndimor konfirmohet

Qershor 2006: Nënshkruhet Marrëveshja e Stabilizimit dhe Asociimit (MSA) me BE-në 

Prill 2009: MSA hyn në fuqi. Shqipëria prezanton aplikimin e saj për anëtarësi në BE

Nëntor 2010: Komisioni nxjerr Opinionin e tij mbi aplikimin e Shqipërisë për anëtarësi në BE, përfshirë një grup prej 12 përparësish kyçe që duhen përmbushur me qëllim që të hapen negociatat e anëtarësimit

Dhjetor 2010: Udhëtime pa viza në zonën Schengen për qytetarët e Shqipërisë 

Qershor 2014: Këshilli Evropian i jep Shqipërisë statusin e vendit kandidat për anëtarësi në BE

Më shumë informacion

http://ec.europa.eu/enlargement/countries/package/index_en.htm